in ,

Lerda në luks, Partizani i blinduar në çdo repart për të mbrojtur titullin

Një Partizani i blinduar, me 22 lojtarë që janë gati për një fanellë titullari në çdo moment. Nëse në sezonin e titullit kampion (2018-2019) skepticizmi ishte i madh, nisur edhe nga fakti se përbërja nuk bindte, tashmë për të kuqtë pritshmëritë janë maksimale.

Drejtuesit kanë bërë goditje të rëndësishme në merkaton e verës, duke krijuar ndoshta një luks të tepruar për trajnerin, veçanërisht në fazën sulmuese. Prej vitesh është kthyer gati-gati një legjendë konstatimi se Partizani nuk ka një zëvendësues ideal për Labinot Ibrahimin në krahun e djathtë të mbrojtjes. Mirëpo, nëse pyet sot stafin e kuq se çfarë ndodh me kosovarin jashtë formacionit, e kanë gati përgjigjen. Franko Lerda e dha sinjalin e parë në ndeshjen e kthimit ndaj Sherif Tiraspolit, duke ndryshuar skemën dhe lënë në stol Ibrahimin. Tashmë italiani është i bindur se Eneo Bitri do të jetë titullar fiks edhe me 3-5-2.

partizani

Por, në krahun e djathtë të mbrojtjes mund të përshtatet shumë mirë edhe braziliani Melo, i cili e ka natyral atë pozicion. Një alternativë serioze është pa dyshim edhe ajo e vlonjatit Hektor Idrizaj, i cili po e lë pas dëmtimin. Gjithashtu, i gatshëm është i riu Besnik Ferati, i aktivizuar nga Lerda në disa miqësore. Sa i përket qendrës së mbrojtjes, Belica dhe Boldor japin garanci, por natyrisht përveç Bitrit, aty mund të luajë pa frikë edhe Ibrahimi. Krahu i majtë ka gjithashtu rivalitet, me Hakajn që “dogji” Trashin në tri ndeshjet e para në Europë, por e më pas i hapi vendin në Moldavi.

MESFUSHA DHE SULMI

Dy reparte që vendosin në vështirësi Lerdën (gjithnjë në aspektin pozitiv) janë pikërisht mesfusha dhe sulmi. Telushi, Romero, Broja, Melo, Mala, Trashi, Asani, Solomon, Mensah, Kote, Bardhi, Braun, Ekuban dhe Çinari. Bëhet fjalë për 14 lojtarë, të cilët do ishin për çdo ekip zgjedhje parësore, por shumica e tyre e kanë të pamundur ta nisin titullar te Partizani i sotëm.

partizani 2

Konkurrenca është e madhe dhe me lojtarë, të cilët kanë një kosto të lartë për klubin, veçanërisht sulmuesit. Bardhi, Mala dhe Çinari rrezikojnë formacionin, ndërsa Mensah prej javësh ka dalë jashtë planeve të Lerdës për të qenë titullar. Në prag janë dy ndeshjet e Kukësin, teksa e para luhet për trofeun e Superkupës.

Një fitore do të qetësonte shumë “ujërat” te të kuqtë, të cilët vijnë pas dy javësh të trazuara, që kulmuan fillimisht me përplasjet në staf dhe më pas me eliminimin nga Liga e Europës. Pozitat e Lerdës u lëkundën ndjeshëm, veçanërisht pas zhgënjimit në ndeshjen e parë ndaj Sherifit, por ajo performancë e mirë në takimin e kthimit dhe justifikimi se arbitri ndikoi në rezultatin e ndeshjes, bëri që drejtuesit t’i japin besim italianit për vazhdimësinë.

 

Loading...

Panorama Sport\

Rashford festoi me “shqiponjë”, mediat serbe “tërbohen” dhe e quajnë skandal

Vranë 23-vjeçarin në Fier dhe e hodhën në kanal, kapen autorët