Përshkallëzimi i situatës gjatë protestës së opozitës në Tiranë është pasqyruar menjëherë nga Associated Press që flet për një konfrontim të tubuesve me policinë.

Mbështetësit e partisë demokratike çanë kordonet e policisë ndërsa tentuan të hynin në ndërtesën e kryeministrisë, thotë agjensia e njohur e lajmeve, që shton se protestuesit lëshuan flakadanë dhe objekte të tjera ndërsa përpiqeshin të shkatërronin skelën e mbrojtëse përpara hyrjes kryesore të godinës, por demonstruesit nuk hynë brenda godinës thekson ajo.

Policia nënvizohet në shkrim, nuk ka bërë shumë rezistencë, ndonëse përdori gazin lotsjëllës dhe pompat e ujit ndërsa përmes altoparlantëve i ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndahen.

Dy autoambulanca janë parë të marrin protestues që kanë pasur probleme nga gazi lotsjëllës, disa thuhet të kenë humbur ndjenjat.

Në një intervistë për Associated Press përpara protestës, lideri demokrat Lulzim Basha shpjegoi dhe një herë se ajo që po kërkohet është dorëheqja e qeverisë, krijimi i një kabineti tranzicioni dhe zgjedhje të parakohshme në mënyrë që të rivendoset sipas tij demokracia përmes parlamentit të zgjedhur me vullnetin e popullit dhe jo paratë apo kërcënimet e krimineleve.

Opozita sulmon selinë e qeverisë shqiptare, shkruan agjensia italiane e lajmeve Ansa, e cila e ka lajm kryesor pasqyrimin e zhvillimeve të fundit në vendin tonë; një grup manifestuesish kanë mësyrë kryeministrinë duke tentuar hyrjen në ndërtesë, por janë zbrapsur nga forcat e gardës së republikës të ndodhur brenda saj që kanë lëshuar gaz lotsjellës, thotë Ansa.

Top Channel